Në një test të ri, Facebook u lejon përdoruesve të kenë deri në pesë llogari

Rrjeti social Facebook do t’u mundësojë përdoruesve individualë të kenë deri në pesë profile, dhe kjo është pjesë e një testi që kompania Meta synon të kryejë me qëllim që të prezantojë mënyra të reja për të inkurajuar përdoruesit të qëndrojnë në platformë në një kohë kur rivalët po bëhen gjithnjë e më konkurruese.

Si pjesë e testit, disa përdorues të Facebook do të jenë në gjendje të krijojnë deri në pesë profile shtesë që do të lidhen me profilin origjinal, raporton reuters.

Ideja është që të përdoren llogari shtesë për qëllime të ndryshme, një për miqtë, një tjetër për bashkëpunëtorët dhe pjesa tjetër për ndërveprim me grupe dhe influencues. Përdoruesit do të kenë ende një llogari kryesore, por do të mund të ndryshojnë profilet me vetëm disa klikime.

Profilet do të mbulohen nga rregullat e Facebook dhe thyerja e rregullave në një profil do të ndikojë në të gjitha llogaritë, tha zëdhënësi Leonard Lam.

“Për t’i ndihmuar njerëzit të përmirësojnë përvojën e tyre bazuar në interesat dhe marrëdhëniet, ne po testojmë një mënyrë të re për të pasur profile të shumta të lidhura me një llogari të vetme në Facebook. Të gjithë që përdorin Facebook do të duhet të vazhdojnë të ndjekin rregullat”, shtoi ai.

Përdoruesve që krijojnë profile shtesë nuk do t’u kërkohet të përdorin identitetin e vërtetë për emrin e shfaqur për sa kohë që alternativa nuk shkel rregullat dhe nuk përmban numra ose karaktere speciale. /Telegrafi/

Read Previous

Buffon tregon se kur do të tërhiqet nga futbolli

Read Next

Lewandowski përshëndetët me shokët e skuadrës tek Bayern Munich