Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shënuar disa aktivitete në peizazhin e mbrojtur “Gërmia”.
Zëvendësministrja e mjedisit Linda Çavdarbasha tha se Kosova deri tani ka krijuar politika të ndryshme për ruajtjen e biodervistetit, mirëpo të njëjtat nuk janë zbatuar sa duhet.
Më tej, ajo ka theksuar se Kosova pavarësisht se është e pasur me biodiversitet, po rrezikon humbjen e tyre.
Ajo ka kërkuar që të veprohet sa më shpejt dhe që të zbatohet ligji dhe rregulloret në fuqi.
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Mustafa tha se biodiversiteti është vlera më e madhe e natyrës, ndaj ka bërë thirrje për zbatim të ligjeve.
Për rrezikun e zhdukjes së kafshëve të rralla ka folur edhe Fatos Lajçi nga organizata joqeveritare “Era”. Sipas tij, përveç rrëqebullit janë në rrezik edhe dreri e dhia e egër.
Në Gërmi janë ekspozuar edhe materialet e përgatitura nga kjo organizatë, ku më pastaj bashkë me nxënësit e shkollës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, është organizuar ecje në shtigjet e Gërmisë.
Biodiversiteti paraqet llojshmërinë e jetës bimore dhe shtazore në tokë. Gjithsejtë ekzistojnë 1,75 milionë lloje bimore dhe shtazore, mirëpo akoma nuk është hulumtuar gjithë globi./KosovaPress