“Në Kosovë kurrë më nuk do të ketë policë të Serbisë”, presidentja reagon pas plagosjes së policit dhe sulmit ndaj gazetarëve

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas plagosjes së policit të Kosovës në Veri, dhe sulmeve që po u bëhen gazetarëve atje.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka shkruar presidentja në Facebook.

“Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë”.

Osmani ka thënë që policët dhe ushtarët e Serbisë nuk do të lejohen kurrë në territorin e Kosovës.

“Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë”.

“Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”

Read Previous

Fluturimi në hënë i SpaceX, një DJ, një YouTuber dhe një reper do t’i bashkohen udhëtimit

Read Next

KE paralajmëron Shqipërinë: Tërhiqni skemën e pasaportave të arta, ose rrezikoni pezullimin e vizave