Kroacia shërben si model për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vunë në dukje ligjvënësit gjermanë. Vetëm partia “Alternativa për Gjermaninë” ishte kundër.
Deputeti socialdemokrat, Josip Juratoviç, tha se anëtarësimi i Kroacisë në zonën e Euros shërben si sinjal jo vetëm për vendet fqinje të Kroacisë në Ballkanin Perëndimor. “Ai shërben edhe si një sinjal i fortë politik për qendrueshmërinë dhe atraktivitetitn e një monedhe të përbashkët”.
Anton Hofreiter, nga të Gjelbrit, vuri në dukje gjithashtu rëndësinë gjeostrategjike të këtij vendimi. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një rajon, ku vende autoritare dhe diktatura, si Rusia dhe Kina, përpiqen të kenë ndikim. Prandaj është në interes të të gjithëve që të bëjmë hapa përpara në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha deputeti ekologjist, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit të Bundestagut për çështje të Bashkimit Evropian.
Ai i bëri thirrje Kroacisë që të punojë në këtë drejtim dhe kritikoi tonet nacionaliste dhe ndërhyrjen në Bosnjë-Hercegovinë. “Ne duhet të angazhohemi bashkërisht për rajonin. Të fillojmë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të angazhohemi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të përdorim një gjuhë më të qartë kundrejt Serbisë”, tha Hofreiter.
Edhe Andreas Scheuer i Unionit Kristiansocial tha se modeli i Kroacisë është një sinjal për ato vende që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropain: “Merrni shembull nga Kroacia! Kush përmbush rregullat, kush kryen detyrat dhe reformat, nuk do të bëhet vetëm pjesë e familjes evropiane, por e të gjithës zonës së Euros Këto janë thjesht rregullat”. /DW/