Ndërron jetë një fëmijë pas aksidentit në Zhub të Gjakovës, TV Syri kishte raportuar për rastin
Një fëmijë ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 27 tetor në fshatin Zhub të Gjakovës.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës në raportin e fundit të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, ku thuhet se më 24 nëntor është konfirmuar vdekja e fëmijës, i cili ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
TV Syri kishte raportuar ditë më parë për këtë aksident, ku ishin përfshirë dy automjete, njëri me targa të Shqipërisë dhe tjetri me targa vendore.
Si pasojë e përplasjes, pesë persona kishin pësuar lëndime trupore, tri femra dhe dy meshkuj. Njëri nga drejtuesit e automjeteve, pas trajtimit mjekësor, ishte dërguar në mbajtje, ndërsa të lënduarit e tjerë kishin marrë trajtim mjekësor.
Pas konfirmimit të vdekjes së fëmijës nga ekipi mjekësor, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se rasti është nën hetime.
Raporti i plotë i Policisë së Kosovës – DRP Gjakovë:
AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Rr. Tirana, Gjakovë – 27.10.2026 – 17:25. Më 24.11.2026 është raportuar se kishte ndodhur një aksident trafiku në mes dy automjeteve, njëri me targa të Shqipërisë ngasës i dyshuari mashkull i Shqipërisë dhe tjetri me targa vendore drejtues mashkull kosovar. Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kishin pësuar pesë persona: tre femra dhe dy meshkuj-njëri i dyshuari i cili pas tretmanit mjekësor ishte dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët kanë pranuar tretman mjekësor. Më 24.11.2026 është raportuar se e lënduara femër-fëmijë e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime. /tvsyrivision/
Foto nga aksidenti:




