Të shtunën e 10 prillit Kosova humbi një ndër instrumentistët e mirënjohur, Shaqir Hotin që kontribuoi deri në frymën e fundit për muzikën shqipe por me theks të veçantë në folklorin shqiptar. Pas vetes la një sërë instrumentesh të krijuara nga vet ai, mbi të gjitha la pas shembullin e një artisti të kompletuar dhe dashurinë për muzikën.
Shaqir Hoti ishte i lindur më 1936, në fshatin Rogovë të Hasit. Që në moshën 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen e muzikës në Prizren, në flaut.
Një kohë punoi në fshatin e lindjes duke kontribouar në organizimin e jetës kulturore. Më pas u angazhua në orkestrën popullore të Radio Prishtinës si flautist i parë. Mori pjesë në festivale me karakter vendor dhe ndërkombëtar me instrumente frymore.
Mbetet e veçantë paraqitja në Berlinin Perëndimor më 1969, në një festival ndërkombëtar ku me këngën “Baresha”, të interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, fituan çmimin e parë.
Prej se nisi të merrej me muzikë, s’iu nda asaj as në moshë të shtyrë. Inovator në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore, shtëpinë e tij do ta shndërronte në një muze unik të muzikës.
Dhe e mbushi atë (jetën) me krijime, interpretime dhe studime të paçmueshme në kulturën e traditës sonë të pastër. Mbi 2000 instrumente janë gdhendur nga duart e tij, mijëra melodi janë luajtur nga gishtat e tij, qindra këngë e valle mbajnë vulën e tij, shpirtin e tij.
Kujtimi për Shaqir Hotin do mbetet gjithmonë i gjallë në shoqërinë tonë falë kontributit dhe veprave që la pas.