Ndërpritet dëshmia e Sokol Dobrunës, shkak vështirësit me kujtesën

Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është marrë vendim që dëshmitari Sokol Dobruna ta ndërpresë dëshminë e tij si pasojë e vështirësive që kishte me kujtesën.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat me shkrim që ai tashmë i ka dhënë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmitar, ne do të ndërpresim dëshminë tuaj këtu sepse palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat që keni dhënë ju më parë dhe që ato janë të plota dhe do të pranohen si të tilla. E kemi marrë këtë vendim sepse kishit disa vështirësi për të mbajtur mend disa prej çështjeve. Ky është vendimi i trupi gjykues. Nuk është e nevojshme që të jepni më dëshmi. Ju falënderojmë që ishit i pranishëm dhe ju urojmë gjithë të mirat dëshmitar”, tha Smith.

Megjithatë, fjalën e mori edhe dëshmitari Sokol Dobruna, i cili nuk u kuptua qartë se për çfarë e kishte fjalën.

“Faleminderit, por më lejoni të them se një gjë të tillë plotësisht të Prokurorisë nuk e pranoj”, tha Dobruna.

Pas kësaj, sekretares së gjykatës iu kërkua që ta nxjerrë dëshmitarin nga vendi ku ishte ai. Si rrjedhojë, deklaratat e mëhershme të dëshmitarit së bashku me materialet përcjellëse u pranuan në prova materiale.

Pas këtij dëshmitari, seanca pritet të vazhdojë me dëshmitarin e radhës i cili do të jetë i pranishëm përmes video-lidhjes. Veç kësaj, në rast që organizohet transporti, Smith tha se dhe të akuzuarit mund të kthehen në objektin e paraburgimit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

SHBA-ja kufizon eksportin e mikroprocesorëve në mbarë botën

Read Next

Komisionarja e BE-së për Zgjerim: Presim lëvizje në Kosovë pas zgjedhjeve