Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më sot rastet e konfirmuara pozitive janë mbi 200 mijë në Kosovë. Pacientët e infektuar me COVID-19 janë trajtuar varësisht nga simptomat që ka shfaqur virusi.
Infeksioni me COVID-19 është pandemi e karakterit global e cila nuk është definitive në aspektin biologjik, epidemiologjik dhe farmakologjik thonë ekspertët shëndetësor.
Dhe trajtimi i pacientëve është bërë duke u mbështetur në përvojën e shteteve të ndryshme. Pas infektimit dhe shërimit nga COVID-19 shumë persona kanë shfaqur probleme gastroenterologjike.
Problemet e tilla janë trajtuar me medikamente për mbrojtjen e lukthit.
Terapia antivirale e rekomanduar dhe e përdorur tek pacientët nga vendet e ndryshme në botë nuk ka aprovim nga autoritetet rregullative për barna siç është FDA dhe EMA, kjo terapi është dhënë pas disa hulumtimeve klinike të kufizuara, thonë ekspertët shëndetësor.