Bashkimi Evropian shumë shpejt do të dal me një qëndrim zyrtar për sa i përket mundësisë që Kosova të ndalojë përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, në territorin e saj gjegjësisht në komunat të banuara me shumicë serbe.
Kështu të paktën ka bërë të ditur i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në një prononcim të shkurtë për media në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Zvicrës, raportojnë mediat serbe.
Diplomati sllovak ka bërë të ditur ndër të tjera se për këtë temë ditë më parë ka biseduar edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin.
“Kam kërkuar që të më përgjigjet për disa pyetje të rëndësishme dhe ato informacione ia kam përcjellë Brukselit, shërbimet tona po analizojnë situatën. Presim që shumë shpejt të dalin me qëndrim të përbashkët zyrtar”, ka potencuar Lajçak.
I pyetur nëse mund të rrezikohet situata nëse Kosova anulon transaksionet e pagesave me Serbinë, Lajçak ka refuzuar të bëjë ndonjë vlerësim në këtë moment.
“Besoj se situata nuk do të bëhet e rrezikshme, besoj se do të gjejmë një zgjidhje që nuk do të ketë pasoja negative”, është shprehur optimist Lajçak.
Në anën tjetër Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.
Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Ndryshe i ashtuquajturi Këshilli Kombëtar i Serbisë për Kosovën e ka vlerësuar si marrëveshje e parapërgatitur në mes të Prishtinës dhe Beogradit mundësinë që Kosova të ndalojë përdorimin e Dinarit, në territorin e saj gjegjësisht në komunat të banuara me shumicë serbe.
Qëllimi i një vendimi të tillë, sipas pretendimeve të ashtuquajturës Këshill, është që punëtorët serbë të institucioneve ilegale në Kosovë të paguhen përmes Ministrisë së Financave të Kosovës.
“Kjo nuk do të përfaqësonte asgjë më shumë se një tjetër koncesion për Kosovës si pjesë e zbatimit të qetë të Marrëveshje për normalizimin e raporteve ose promovimit të njërës prej pikave të parashikuara në statutin e Asociacionit”.
Një pretendim të tillë se Qeveria e Kosovës po e shqyrton si mundësi ndalimit të Dinarit në Kosovë e artikuloi fillimisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. /Albanianpost.com