Ndahet nga jeta aktori Matthew Perry

Aktori Matthew Perry, i cili është bërë i famshëm me personazhin e Çendler Bingut në komedinë amerikane “Shokët”, ka vdekur të shtunën në moshën 54 vjeç.

Vdekja e tij u konfirmua nga televizioni “NBC”, i cili transmetoi serialin “Shokët” për 10 vjet nga viti 1994 deri në 2004-ën.

“Ai u solli kaq shumë gëzim qindra miliona njerëzve në mbarë botën me ritmin e përsosur prej komediani dhe me zgjuarsinë e tij. Trashëgimia e tij do t’u kalojë brezave të panumërt,” njoftoi “NBC” në rrjetin social X.

Sipas mediave amerikane, artisti amerikano-kanadez u gjet i vdekur në një vaskë në shtëpinë e tij në Los Anxheles.

Në serialin jashtëzakonisht të suksesshëm, “Shokët”, Peri në rolin e Çendlerit luajti përkrah pesë personazheve të tjerë, të cilët banonin në apartamentet e njëri-tjetrit dhe takoheshin për kafe në “Central Perk”, një kafene në Manhatan, Nju-Jork.

Një nga linjat kryesore të historisë përfshinte një romancë midis Çendlerit dhe Monika Gellerit, personazhi i luajtur nga Courteney Cox, të cilët edhe u martuan bashkë. Të gjashtë aktorët u rikthyen 17 vjet më pas në një serial special që u transmetua në vitin 2021.

Peri për disa vite u fsheh nga publiku duke luftuar varësinë e tij ndaj ilaçeve dhe alkoolit, sfidë që e detajoi edhe në romanin e tij memuaristik të vitit 2022, “Shokët, të dashuruarit dhe gjëja më e tmerrshme”.

Read Previous

Zëdhënësi i Speciales: Ish-ushtarët e UÇK-së në këtë fazë s’mund të gjykohen në liri, arkivat të paqasshme

Read Next

​Turqia shënon 100 vjetorin e Republikës, Osmani i uron edhe shumë shekuj