Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, pritet të mobilizojë 90 mijë ushtarë, për një manovër që synon të pengojë agresionin rus, në stërvitjen më të madhe të organizuar nga aleanca që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Kështu ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve DPA, lidhur me çështjen, duke përmendur burime pranë aleancës.
Në vitin 2018, përpara agresionit rus të Ukrainës, NATO kishte lëshuar gjithashtu një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake, që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, me dhjetëra mijëra trupa të angazhuara, nga 29 vende aleate.
Megjithatë, kjo manovër e radhës pritet të jetë edhe më masive se pararendësja, në një kohë kur mobilizimi është shtuar në vitet e fundit me përshkallëzimin e konfliktit.
Vendi se ku kjo stërvitje e madhe pritet të mbahet është ende i pacaktuar dhe pritet të publikohen detaje të reja.
Në vitin 2018, rëndësia ishte madhore për një stërvitje të ngjashme.
Çfarë thuhej në atë kohë, përpara agresionit rus në Ukrainë?
“Kjo është një ditë e rëndësishme sepse Trident Juncture është stërvitja më e madhe e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, deklaronte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përpara stërvitjeve. Ky i fundit është ende në detyrë, me një mandat të zgjatur për shkak të konfliktit.
Stërvitja tërhoqi kritika nga Moska mes tensioneve të vazhdueshme midis NATO-s dhe Rusisë, e cila mori Krimenë nga Ukraina në 2014 dhe mbështeti separatistët në një konflikt të vazhdueshëm në Ukrainën lindore, por Rusia akuzoi aleancës asokohe për sjellje provokuese pranë kufijve të saj.
Një burim tjetër mosmarrëveshjeje ishte ajo që NATO thoshte se është vendosja e një rakete nga Rusia që shkelte një traktat kyç të armëve bërthamore SHBA-Rusi dhe mund të përdorej potencialisht për të synuar anëtarët e aleancës në Evropë.
“Trident Juncture u dërgon një mesazh të qartë kombeve tona dhe çdo kundërshtari të mundshëm: NATO nuk kërkon konfrontim, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë të gjithë aleatët kundër çdo kërcënimi”, përforconte Stoltenberg në një konferencë shtypi më 24 tetor 2018.
Stërvitja “është një shfaqje e fortë e aftësive tona dhe vendosmërisë sonë për të punuar së bashku,” bënte me dije ai.
Pa përmendur Rusinë me emër, ai shtonte se “mjedisi i sigurisë në Evropë është përkeqësuar ndjeshëm” vitet e fundit dhe se NATO ishte përgjigjur me përshtatjen më të madhe të mbrojtjes sonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Trident Juncture demonstronte atë përshtatje sipas Stoltenberg.
Trident Juncture përfshiu rreth 65 anije, 250 avionë, 10 mijë automjete dhe 50 mijë personel.
Aksioni i tanishëm ndërkaq, pritet që thuajse t’i dyfishojë të gjitha këto shifra.
/albanianpost/