Nagavci për padinë e mbi 26 komunave: Qeveritë e kaluara nuk kanë zbatuar kontratat kolektive

Padia e dorëzuar nga 26 komuna të martën ndaj ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Shëndetësisë për shkak të dëmit që u është shkaktuar nga zbatimi i kontratës kolektive, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci vjen si pasojë e qeverive të kaluara.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka shkruar se prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive mes MASHT-it dhe SBASHK-ut.

“Për sqarim kontrata e parë në vitin 2014 është nënshkruar në mes të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atë kohë, ishte Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Bedri Hamza. Kontrata e dytë e vitit 2017, nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj”.

“Atëkohë ka qenë Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Avdullah Hoti. Kontrata e tretë e vitit 2021. Nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ka qenë Qeveria PAN m( PDK-AAK-NISMA) dhe ministre e Financave, Hykmete Bajrami”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj, kjo tregon më së mire për qeveritë e kaluara të cilat kanë qenë në pushtet e nuk kanë zbatuar kontratat kolektive.

“Kjo tregon se qëllimi i vërtetë i qeverisjeve të kaluara nuk ka qenë zbatimi i kontratave kolektive, por kalkulimet elektorale, pjesë e të cilave është bërë edhe udhëheqja e SBASHK-ut. Pavarësisht zotimeve në kohë fushate, mësimdhënësit çdo herë janë detyruar të shkojnë në gjykata për t’i marrë pagat përcjellëse”.

Ndërkaq për kryetarët e komunave që kanë paraqitur padi Nagavci ka theksuar që të njëjtit janë pjesë e partive politike që kanë qenë në pushtet.

“Gjatë kësaj periudhe nuk është dëgjuar as zëri i Asociacionit të Komunave të Kosovës, i cili gjatë gjithë kësaj kohe me zell po e bën avokatin e komunave në përgatitjen e padive dhe po ngritë çështje të shumta në pengim të punës së institucioneve”.

Përveç kësaj ministrja e Arsimit u shpreh që në asnjë rast nuk do ta lejojnë shkeljen e ligjit.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës po ballafaqohemi me pasojat e veprimeve të pararendësve tanë, por nuk do të lejojmë as zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bien ndesh me ligjin. Me vullnet do të adresojmë tek organet kompetente pretendimet për çdo shkelës të ligjit ashtu siç do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për secilën nga situatat me të cilat po ballafaqohemi duke respektuar legjislacionin në fuqi”, ka thënë ajo.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

AKK, ka vlerësuar se shumica e mjeteve që janë shpenzuar në të kaluarën kanë qenë për investime kapitale.

Më 9 qershor, Instituti Demokratik i Kosovës, ka konsideruar se buxhetimi me pjesëmarrje vazhdon të mbetet sfidë e vazhdueshme për qeverisjen lokale, ndërsa qeverisja gjithëpërfshirës forcohet vetëm duke dhënë hapësirë dhe mundësi qytetarëve. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjykata lë në burg dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Shqipëri

Read Next

Munella, destinacion i të pasionuarve pas turizmit malor