Nagavci: Kemi investuar më shumë se 12 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës shkollore

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka pohuar se projektet për zhvillimin e kryeqytetit po bllokohen nga niveli qendror.

Nagavci ka deklaruar se nuk ka asnjë kërkesë për ndërtim e çerdheve dhe shkollave në Komunë të Prishtinës që nuk e kanë trajtuar.

“Dje, në vendosjen e gurthemelit të çerdhes në fshatin Bardhosh të Prishtinës, kryetari Rama u ankua për bllokadë nga niveli qendror, për pengesa në zhvillim të Kryeqytetit. Të tilla deklarime kemi dëgjuar në vazhdimësi. Por, përballë këtyre gënjeshtrave janë faktet. Nuk ka asnjë kërkesë për ndërtim të çerdheve dhe shkollave në Komunë të Prishtinës që ne nuk e kemi trajtuar. Është krejtësisht e kundërta – jemi ne që kemi insistuar në vazhdimësi që të na mundësohet të investojmë, duke ditur nevojën që ka në Prishtinë për shkolla dhe çerdhe”, ka reaguar ajo.

Mes tjerash, Nagavci ka deklaruar se komuna po pamundëson investimet.

“Fatkeqësisht, në vend të bashkëpunimit kemi hasur në bllokadë nga vet Komuna e Prishtinës që të na pamundësojnë investimet. Për çerdhen në Medrese-Çamëri, për shembull, 15 muaj nuk na kanë siguruar lejen e ndërtimit, duke na pamundësuar kështu kryerjen e punimeve. Por, përkundër sfidave, mungesës së bashkëpunimit e pengesave nga Komuna e Prishtinës, si Ministri e Arsimit kemi investuar gjatë këtij mandati më shumë se 12 milion Euro për përmirësimin e infrastrukturës shkollore në Komunën e Prishtinës. Shpifjet nuk kalojnë”. /Telegrafi/

Read Previous

Vapa përvëluese mbyll kullën Eiffel në Francë

Read Next

Komisioni Evropian fton Kosovën ta ratifikojë marrëveshjen për milionat