Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kundërshtuar debatin që po bëhet në Kuvendin e Kosovës derisa në rend dite është shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore.
Sipas saj, në këtë seancë është dashur të kalohet drejtpërdrejt në votim të amendamenteve.
“E kam goxha bezdi të flas si ‘kofini pas të vjelave, se debatet sot janë këtu debate shterpë, gjithçka ka kaluar, por mua më befasoni ju zotëri kryetar pse po lejoni kaq shumë debat me një përvojë tuajën mbi 10 vjeçare në Kuvend e dini se është dashur të futemi direkt në votimet e amendamenteve dhe arsyetimet e amendamenteve”, ka thënë Musliu.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i është përgjigjur deputetes Musliu duke lexuar nenin 58 të rregullores së kuvendit i cili përcakton se në shqyrtimin e dytë të projektligjit përveç paraqitjes së raportit nga komisioni funksional dhe diskutimit të grupeve parlamentare, mund të flasin edhe përfaqësuesit r qeverisë dhe deputetët e tjerë, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa deputetja e PDK-së kërkoi nga deputetët që të jenë më produktiv.
“Faleminderit kryetar për kohën që morët që të lexoni rregulloren e Kuvendit, përkatësisht me këtë çështje. Është plotësisht ajo që thoni ju, por e thash që jeni deputet më 11 vite ndoshta përvojë dhe i dini shumë mirë praktikat që i ka ndjek ky kuvend dhe kërkova të jemi më praktik në çështje të tilla dhe mos të harxhojmë kohë koti sepse edhe ju e dini që ky debat nuk prodhon asgjë përveç polemikave politike që mund të kenë sot këtu. Dhe ju e pat që në këtë sallë sot u hap edhe fushata elektorale për tetorin që na pret për zgjedhjet komunale, dhe duke u nis nga kjo kërkoj nga kuvendi që të jemi më produktiv në punën që ne bëjmë”, ka thënë Musliu./Reporteri.net/