Musk zhgënjehet nga Trump

Image credit: Roberto Schmidt / AFP / Getty Images

Miliarderi dhe këshilltari i Donald Trump, Elon Musk, ka kritikuar së fundmi një projektligj të presidentit amerikan që javën e kaluar kaloi me vështirësi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pritet të shkojë në Senat, ku edhe mund të përballet me shumë ndryshime.

Sipas CNN, Elon Musk ka shprehur shqetësime për paketën gjithëpërfshirëse të uljes së taksave dhe shpenzimeve të presidentit Donald Trump, duke thënë në një video të publikuar të martën se beson që kjo do të rrisë deficitin buxhetor të SHBA-së dhe do të minojë përpjekjet e Departamentit për Efiçencë Qeveritare (DOGE).

“Isha i zhgënjyer kur pashë projektligjin masiv për shpenzimet, i cili në fakt jo vetëm që nuk e ul, por e rrit deficitin buxhetor, dhe minon punën që po bën ekipi i DOGE,” është shprehur Musk për “CBS Sunday Morning.”

Ai tutje, duke iu përgjigjur mënyrës se si Trump e quan projektligjin, “të madh e të bukur”, ka thënë se: “Mendoj se një ligj mund të jetë i madh ose i bukur, por nuk jam i sigurt nëse mund të jetë të dyja.”

Kujtojmë se, projektligji “i madh dhe i bukur” i Trump përfshin mijëra miliarda dollarë në ulje taksash dhe një rritje të ndjeshme të buxhetit për ushtrinë amerikane dhe shpenzimet për sigurinë kombëtare — të financuara kryesisht përmes shkurtimeve në programet federale të shëndetësisë dhe ushqimit, si dhe në programet e energjisë.

Ndërkohë, dijmë se Musk po tërhiqet nga angazhimi i tij i drejtpërdrejtë në qeveri për t’u fokusuar te kompanitë e tij, përfshirë SpaceX dhe Tesla, të cilat kanë hasur vështirësi pjesërisht për shkak të aleancës së tij me administratën Trump.

Musk gjithashtu ka deklaruar javën e kaluar se do të shpenzojë “shumë më pak” për politikë në të ardhmen, por ende nuk është e qartë nëse kjo do të ndikojë në zotimin e tij për të investuar 100 milionë dollarë në grupet politike të kontrolluara nga presidenti. Më parë, Musk kishte shpenzuar mbi 290 milionë dollarë./Sinjali

Read Previous

Gary Lineker dhe fundi i hidhur i “Match of the Day”

Read Next

Një studim i ri ‘ringjall’ debatin e vjetër – Teoria e evolucionit mund të jetë e pasaktë