Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka thënë se arsyet që opozita po i jep për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare “nuk qëndrojnë”.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Murati ka thënë se “nuk qëndron” arsyeja e opozitës se “për shkak të masave të vendosura, edhe fondet e këtyre marrëveshje janë të bllokuara prandaj është e kotë të ratifikohen sepse mjetet nuk mund të shfrytëzohen”, duke iu referuar masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës për shkak të refuzimit të qeverisë për ta shtesionuar situatën në Veri.
Murati theksoi se gjatë takimeve që ka pasur dy javëve të fundit me parterë e donatorët zhvillimorë, e ka ngritur edhe këtë çështje që po e shtron opozita.
“Ajo çfarë mund të them është se në të gjitha këto takime më është konfirmuar nga partnerët ndërkombëtarë se marrëveshjet që tashmë janë të nënshkruara dhe presin për ratifikim, nuk kanë asnjë pengesë apo bllokim fondesh”, ka shkruar.
Prandaj, theksoi ai, “edhe njëherë ftoj deputetët e opozitës që nuk po marrin pjesë në votime, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve”. /Albanianpost.com