Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka adresuar kritika ndaj opozitës pak para nisjes së vazhdimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, opozita po mban peng procesin duke mos marrë pjesë në votim ose duke votuar kundër, pavarësisht se mazhoranca, siç thotë ai, i ka përmbushur të gjitha detyrimet kushtetuese.
“Pritshmëritë si çdo herë, ideja që po mblidhemi në këto vazhdime është që të votohet kryesia e Kuvendit, që të themelohet, konstituohet Kuvendi, e të vazhdojmë me formimin e qeverisë. Këtë e parasheh Kushtetuta. Përkundër asaj që ne kemi zbatuar të gjitha obligimet e Kushtetutës, kemi parë që nga opozita, ose nuk kanë votuar, ose votojnë kundër, duke refuzuar obligimet kushtetuese”, tha Murati.
Ai theksoi se Vetëvendosje ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe ka ftuar partitë në dialog, por sipas tij ka pasur refuzime të drejtpërdrejta, përfshirë nga LDK-ja.
“Po besoj që keni parë tentativat tona kanë qenë publike, transparente. Ne kemi tentu të gjejmë forma e mënyra të bashkëpunimit, kemi ftuar partitë që të diskutojmë. Ka parti që insistojnë në ndryshim të kandidatëve, apo si LDK-ja që refuzon pjesëmarrje në takime apo procese. Sot shpresojmë të ketë reflektim”, përfundoi ai. /GazetaSinjali/