Mungesa e materialit për letërnjoftim po vazhdon të jetë një problem me të cilin po përballen qytetarët e vendit. Ashtu sikur vitin e kaluar, edhe këtë vit kjo Ministria e Punëve të Brendshme po ballafaqohet me mungesë të materialit për të prodhuar këtë dokument.
Si lehtësim, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ua ka mundësuar qytetarëve që pavarësisht skadimit të afatit për këtë dokument, mund ta përdorin atë deri në 6 muaj pas skadimit.
Në lidhje me këtë çështje, Sinjali ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të marrë një përgjigje se kur pritet të furnizohen me material për prodhimin e këtij dokumenti.
“Ne shpresojmë që nga fundi i muajit nëntor do të pranojmë furnizimin e radhës dhe do të kemi fillimin e normalizimit të procesit të pajisjes me letërnjoftim që nga muaji dhjetor.
Përkundër furnizimit me një sasi të materialit për letërnjoftim, ne akoma po ballafaqohemi me mungesë të materialit. Në lidhje me këtë ministri i MPB-së, ka nxjerrë vendim, përmes të cilit mundëson përdorimin e letërnjoftimit, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, në të gjitha institucionet publike dhe private të Kosovës. Po ashtu Agjencia e Regjistrimit Civil që nga data 5.08.2021 iu mundëson pajisjen me letërnjoftim të Kosovës çdo qytetari që paraqet dëshmi se do të udhëtojë përmes Serbisë, qoftë biletën kthyese ose dëshmi që ka hyrë në Kosovë përmes Serbisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
/GazetaSinjali/