Ekipi i Fenerbahces fitoi dje 3-2 ndaj Konyaspor në kampionat, por protagonist ka qenë pas ndeshjes trajneri Jose Mourinho. Edhe një herë, trajneri portugez ka qenë mjaft kritik ndaj kampionatit turk, sipas të cilit disa ndeshje janë të trukuara.
“Gjatë pushimit të kampionatit u thashë: të punojmë dhe të përqendrohemi në disa opsione të ndryshme. Në futbollin e sotëm këtë gjë e quaj të kesh një kulturë taktike, të jesh në gjendje të luash dhe ndërtosh lojën në mënyra të ndryshme”, tha Mourinho.
“Dje luajtëm një ndeshje të mirë dhe në mënyrë kompetitive dhe përgëzoj kundërshtarin, që dëshiron të aplikojë ide të reja dhe s’ka frikë të luajë. Për rezultatin ka njerëz të lumtur dhe të trishtuar”, shtoi portugezi.
Më tej, Mourinho komentoi: “Mendoj se ata që erdhën në stadium u larguan të kënaqur. Ishte një ndeshje e denjë dhe është një mëkat që në Turqi nuk ka shumë ndeshje të tilla. Kjo ndodh pasi historja e disa ndeshjeve është e paracaktuar”.
“Ekipi im nuk është i përkryer, por nëse të gjitha ndeshjet do të luheshin normalisht si kjo e fundit, do të ishim në një pozicion ndryshe. Jo vetëm ne, por edhe mjaft skuadra që ndodhen pas nesh në renditje”, shtoi Mourinho.
“Ekipi im ka shumë gjëra për të përmirësuar, por siç e thashë, historia e disa ndeshjeve është e parashkruar dhe kjo përcakton fatin tonë në kampionat. Ne do të vazhdojmë të luftojmë siç bëmë në sfidën e fundit”, tha Mourinho. /Telesport.al/