Ish Sekretari Përgjithshëm në detyrë i NATO-s Alessandro Minuto-Rizzo thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një prioritet i madh, ndërsa e sheh të rëndësishme përfshirjen më të madhe të institucioneve euroatlantike dhe vendet mike në këtë proces, në mënyrë që të ndikojnë që palët të arrijnë kompromise të mira në interes të të gjithëve.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Ambasadori Minuto- Rizzo thotë se: “pikat e nisjes duhet të jenë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës (v.j nga Serbia) dhe – në anën tjetër – njohja e pakicave serbe (v.j. nga Kosova). Ai mendon se nëse dy akterët kryesorë (v.j Kosova dhe Serbia) qëndrojnë vetëm në mosmarrëveshjet e tyre, një përparim serioz I rajonit mbetet i vështirë.
Ambasadori Minuto Rizzo që tani e udhëheq Institucionin prestigjioz Fondacioni i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, fletë edhe për rendësinë e stabilitetit dhe progresit në reforma që duhet të demonstrojnë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të përshpejtohet procesi I rrugëtimit në strukturat Euroatlantike. Ai gjithashtu thekson nevojën se Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të modifikojnë pozicionet e vendosura, nëse vërtet dëshirojnë të sigurojnë një lojë përfundimtare pozitive.
“Duhet të kemi parasysh se marrëdhënia Kosovë-Serbi është kyçe për rajonin e Ballkanit, dhe është ndoshta çelësi i zhvillimeve të mëdha të ardhshme në rajon. Është gjithashtu pjesë e procesit të përfshirjes në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ngjarjet e fundit nuk janë inkurajuese, sepse ato nuk tregojnë përparim dhe janë një sinjal i fortë se marrëdhënia ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është larg të qenit normale.” tha Minuto-Rizzo
“Nga ana tjetër, arritja e këtij normaliteti është prioritet. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet euroatlantike dhe vendet mike të përfshihen më shumë në këtë proces, në mënyrë që të ndikojnë që palët të arrijnë kompromise të mira në interes të të gjithëve. Pikat e nisjes duhet të jenë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës dhe – në anën tjetër – njohja e pakicave serbe; ata duhet të konsiderohen qytetarë të plotë, me mbrojtje të plotë. Nëse dy akterët kryesorë qëndrojnë vetëm në mosmarrëveshjet e tyre, një përparim serioz mbetet i vështirë.” – shtoi Minuto-Rizzo ndër të tjera.