Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin me dhunën fizike ndaj grave, vajzave e fëmijëve.
Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka sqaruar se për rastin e dhunës së ushtruar ndaj një vajzë të mitur në Prizren ka raportuar policinë dhe prokurorinë.
“Çdo formë e dhunës ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve, duhet trajtuar seriozisht dhe menjëherë. Për rastin e dhunës fizike në Prizren, kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen”.
Ndërkaq, theksoi se dhuna është rrënjosur thellë në shoqëri saqë po ushtrohet edhe publikisht.
“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve. Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi. Nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, e marrim me mend se çka ndodhë prapa dyerve të mbyllura”.
Në dhjetor të vitit 2021, ishte protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës kundër abuzimit dhe dhunës ndaj grave, e organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet, Artpolis.
Kjo për shkak se, dhuna në familje ndaj grave dhe vajzave “po durohet në heshtje”.
Një numër i madh i grave dhe vajzave të veshura në të bardha, kishin marshuar drejt Qeverisë së Kosovës, me moton ““BOLL MA – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”. /Albanianpost.com