Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që dhuna të mos normalizohet dhe të mos përdoret për spektakël televiziv.
Haxhiu, në tryezën ku temë diskutimi është “Thyerja e ciklit të dhunës”, ka thënë se një i akuzuar për dhunë në familje është e papranueshme që të hyjë në një format televiziv dhe që ta normalizojë dhunën.
“Më lejoni të ju falënderoj për solidaritetin dhe aktivizimin që keni pas sidomos gjatë këtyre ditëve me një rast të fundit, ku një televizion tenton që të normalizojë dhunën, të minimizojë atë, siç ishte rasti i fundit për të cilin të gjithë jemi dëshmitarë. Mendoj që kur kemi raste të tilla kur dikush tenton të minimizojë dhunën dhe normalizojë dhunën, përbashkimi jonë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.
Ajo është shprehur optimiste që Kosova do të jetë një shtet ku gratë dhe vajzat trajtohen në mënyrë të dinjitetshme dhe ku nuk tentohet të bëhet spektakël me rastet e dhunës në familje.
“Besoj që kjo është përgjigje për secilin dhunues. Ne pajtohemi që dhunuesit mund të rehabilitohen, por kjo nuk mund të ndodhë në një format të tillë”, deklaroi ajo.
Më 5 nëntor, edhe koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe Grupi Ndërministror në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Televizionit Klan Kosova për të futur brenda një shtëpie në kuadër të një emisioni televiziv, personin që është denoncuar për dhunë në familje ndaj të cilit deri në shtator të këtij viti ka pasur Urdhër Mbrojtës.
Ky vendim, sipas tyre, përveç tjerash kishte për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.
Grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kishte kërkuar që të ndërmerren veprime urgjente. /Albanianpost.com