Ministrja Gërvalla: Në qeverinë tonë nuk do të ketë konsuj politikë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se ambasadorët e rinj që do të emërohen shumë shpejt do të jenë 50% diplomatë karriere.

Ajo në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë shtoi se do të rishikojnë vendosjen e ambasadave në shtetet përkatëse, raporton Ekonomia Online.

Madje Gërvalla tha se do të hartojnë një listë se ku duhet të jenë prioritet për hapjen e ambasadave.

Ajo deklaruar se në Qeverinë Kurti 2, nuk do të ketë konsuj politikë. Gërvalla ka theksuar se një nga projektligjet e shumta që ka hartuar kjo ministri është edhe projektligji për shërbimin e jashtëm.

Ministrja ka theksuar se ky projektligj është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

Gërvalla sqaroi se afati i paraparë për dërgim dhe miratim në Qeveri të këtij projektligji është 20 shtatori, raporton EO.

“Ligji për Shërbimin e Jashtëm do të vërë në pikëpyetje të gjitha ambasadat, konsullatat në secilin veç e veç do të shikojmë në çfarë konkurrencë është në shtetet që nuk jemi të pranishëm e që do të duhet të jemi, duhet të jemi të kujdesshëm ku i vendosim apo ku nuk i vendosim ambasadat tona. Do të dalim me propozim publik me një listë të qartë se ku janë prioritetet ku duhet të jenë ambasadat tona”.

“Proporcioni politik nuk do ta kalojë 50%, pra 50 për qind do të jenë diplomatë të karrierës, konsuj politikë nuk do të ketë në qeverinë tonë. Kjo nënkupton që ne me shumë kujdes duhet të ndërtojmë akademinë diplomatike, që do t’i përgatisë diplomatët tanë seriozisht”.

Gërvalla tha se është duke u shikuar edhe Demarkacioni me Malin e Zi.

“Ekziston mirëkuptimi me Malin e Zi dhe është vetëm çështje formale pjesa e ratifikimit nga ana jonë. E kemi në rishikim që të shohim të gjitha rrethanat dhe jo vetëm përmbajtjen por të gjitha rrethanat anësore”.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj e ka quajtur të ngutshëm vendimin për shkarikimin e ambasadorëve.

“Ambasadorët tanë aty ku kanë qenë të akredituar e kanë përfaqezuar Kosovën dhe asnjë parti politike”.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave Gërvalla tha se tashmë procesi është dëmtuar derisa ka thënë se nuk do të lënë gurë pa lëvizur e kontakt për të shfrytëzuar.

Gërvalla ka pranuar se e merr përgjegjësinë për reagimin e djeshëm nga ky dikaster diplomatik, duke e cilësuar të gabuar një postim të tyre të paqartë të cilin më pas e fshinë.

“E marrë përgjegjësinë politike për atë Tweett. Përpjekja për të futur në 270 shkronja, ka shkaktuar një tekst pa lidhëse pra e marr përgjegjësinë, e kemi marrë të njëjtin tekst dhe e kemi shtuar lidhësat që kanë munguar dhe mendoj se e kemi kuptuar dhe në të ardhmën të mos ndodh asnjëherë”.

“Nuk kam çfarë të zbukuroj, ashtu është. E kemi marrë të njëjtin tekst, e kemi zgjeruar në fjalor. Ndërkaq për ‘Kosova e fortë, Kosova synon, dëshiron dhe do të jetë gjithmonë në anën e aleatëve të saj’’.

“Por ai mesazh dëshiron të tregojë që Kosova qëndron pranë aleatëve të saj, e këtë e kemi dëshmuar edhe në vendime të tjera të Qeverisë. Asaj që ka ndodhur në aspektin gjuhësor, nuk kam çfarë të them se s’kam nevojë ta zbukuroj sepse ashtu është”.

“Nuk di se çfarë do mund t’i shtoja kësaj. Gjashtë apo tetë sy, shohin më shumë se katër sy. Prandaj në të ardhmen do të ketë më shumë sy që do t’i kontrolloj këto. Rreth kësaj teme nuk e di çfarë do t’i shtoja”./eo/

Read Previous

Shkatërrohet karteli italian i drogës, mes tyre edhe shqiptarë

Read Next

Modric rinovon kontratën e tij me Real Madridin