Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock paralajmëroi sot për rrezikun e një marrëveshjeje për “paqe të rreme” në Ukrainë – duke shtuar se ajo planifikon të zhvillojë konsultime intensive me aleatët e SHBA në Konferencën e Sigurisë së Mynihut (MSC), e cila është gati të fillojë.
“Një paqe e rremë – mbi kokat e ukrainasve dhe evropianëve – nuk do të ishte në përfitim të askujt”, tha Baerbock.
“Një paqe e rreme nuk do të sillte siguri të qëndrueshme, as për njerëzit në Ukrainë, as për ne në Evropë apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.
“Në fund të negociatave, duhet të ketë një zgjidhje të qëndrueshme paqeje që mbron sovranitetin e Ukrainës dhe siguron që Rusia nuk do të rrezikojë më kurrë paqen e Evropës”, tha ajo.
Tani, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar planet për të zhvilluar negociata paqeje me Putinin për luftën në Ukrainë, për të cilat ai nuk u konsultua më parë me aleatët evropianë.
“Në vitin 2022, Putini dërgoi tanket e tij në Kiev dhe tronditi sigurinë tonë, tani jemi përsëri në një udhëkryq ekzistencial për sigurinë tonë në Evropë”, tha Baerbock.
“Paqja do të vijë vetëm përmes forcës”, tha Baerbock, e cila do të kërkojë garanci të rrepta sigurie afatgjata për Ukrainën, një aleancë të fortë të NATO-s dhe përparim në negociatat e anëtarësimit të Ukrainës në BE. /ATSH-DPA/