Ministria e Jashtme pushon 11 punëtorë nga puna

11 punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) janë pushuar nga puna. Ky vendim siç thonë nga MPJD, është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të paligjshme të marra në të kaluarën.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas një analize të detajuar ligjore, sot ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie. Ky vendim është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Personat e liruar nga puna thuhet të jenë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit të shërbimit të jashtëm

“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm”, vazhdon komunikata.

Tutje thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”./KP/

Read Previous

OKB: 75,000 fëmijë bëhen refugjatë çdo ditë në Ukrainë

Read Next

Propaganda dhe sulmet kibernetike, Rusia po izolohet prej shërbimeve kryesore të internetit