Ministri Maqedonci jep sërish alarm për rrezik nga grupet terroriste

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sërish ka dhënë alarm për rrezik potencial nga grupet  e armatosura.

Sipas tij, grupet e tilla të mbështetura nga strukturat në Serbi, mund ta përsërisin sulmin terrorist në Kosovë, me synime politike si ai i Banjskës, vitin e kaluar.

 “Gjithmonë mbetet rrezik mundësia që grupe si grupi i Radoiçiqit, dhe vetë grupi Radoiçiq të zhvillojë ndonjë aktivitet të ngjashëm terrorist me synime politike, gjithmonë i mbështetur nga strukturat në Serbi. Përderisa grupi i Radoiçiqit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbi, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjajshme”, potencoi ai.

Ministri Maqedonci tha se në Kosovë janë krijuar kushte për të parandaluar këto rreziqe, ku sipas tij ndihmë e madhe janë edhe numri i shtuar i trupave të KFOR-it përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Duhet theksuar edhe fakti që tani më janë krijuar shumë parakushte që kjo të mos ndodh dhe këto parakushte janë krijuar nga institucionet tona por edhe nga prezenca e shtuar e trupave të KFOR-it përgjatë vijës kufitare me Serbinë. Kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të KFOR-it sidomos në brezin kufitar. Kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen e grupeve të tilla në Kosovë”, deklaroi ai.

Read Previous

‘Moment shumë i rrezikshëm’: Llogaritja e gabuar e Izraelit dhe Hezbollahut

Read Next

Izraeli kryen sulmet më të ashpra ndaj Libanit që prej fillimit të luftës