Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka kërcënuar se nëse armëpushimi në Liban prishet, forcat izraelite “nuk do të bëjnë më” dallime “midis Libanit dhe Hezbollahut”.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka vendosur numrin e të vdekurve nga sulmet izraelite brenda Libanit që nga 7 tetori 2023 në mbi 3000, me më shumë se 13,000 të plagosur. Izraeli ka thënë se ka kryer shpërthimet e pager-ave dhe pajisjeve tjera në shtator dhe në javët e fundit kishte kryer një seri të gjerë sulmesh ajrore për të cilat pretendonte se synonin infrastrukturën e Hezbollahut, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Reuters citon Katz, i cili po vizitonte veriun e Izraelit, duke thënë se qeveria libaneze duhet “të autorizojë ushtrinë libaneze për të zbatuar pjesën e saj, për të mbajtur Hezbollahun larg Litanit dhe për të çmontuar të gjithë infrastrukturën”.
Ai shtoi: “Nëse armëpushimi bie, nuk do të ketë më përjashtime për shtetin e Libanit. Ne do ta zbatojmë marrëveshjen me ndikim maksimal dhe zero tolerancë. Nëse deri më tani kemi bërë dallime mes Libanit dhe Hezbollahut, kjo nuk do të jetë më kështu”.
Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra që ndalojnë civilët në Libanin fqinj të kthehen në dhjetëra fshatra në jug, ku dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre.
Shumë izraelitë në veri të Izraelit gjithashtu u është dashur të ikin, për shkak të shkëmbimeve të zjarrit të vazhdueshme midis Hezbollahut dhe IDF që nga 7 tetori 2023.
Katz kërcënoi se “nëse i kthehemi luftës do të veprojmë me forcë, do të shkojmë më thellë dhe gjëja më e rëndësishme që ata duhet të dinë, se nuk do të ketë më një përjashtim për shtetin e Libanit”./gazetaexpress/