Ministri i Jashtëm i Italisë: Do ta njohim Palestinën

Italia dhe Franca kanë dhënë qëndrime të forta mbi konfliktin izraelito-palestinez, duke theksuar nevojën për një zgjidhje paqësore dhe njohjen e dy shteteve si rrugë drejt stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, në hapje të Këshillit Kombëtar të partisë “Forza Italia”, deklaroi se njohja e Palestinës duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e Izraelit nga ana e saj.

“Italia mbështet zgjidhjen me dy popuj, dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e shtetit të Izraelit nga ana e tij”, tha Tajani.

Duke komentuar gjendjen humanitare në Gaza, Tajani theksoi: “Ne jemi të interesuar për paqen, jo për fitoren e njërit mbi tjetrin dhe ne jemi vendi në botë që ka mirëpritur numrin më të madh të refugjatëve nga Gaza.”

Ai kërkoi ndalje të dhunës dhe një armëpushim të menjëhershëm: “Nuk mund të pranojmë më masakra dhe uri… Ka ardhur koha për një armëpushim të menjëhershëm. Ne jemi miq të Izraelit, por ia kemi thënë Izraelit këtë.”

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka shpallur se Franca do ta njohë Palestinën si shtet, dhe se vendimi do të bëhet publik në mënyrë zyrtare në shtator.

Në një postim në platformën X, Macron shkroi: “Në përputhje me angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës.”

“Do ta shpall solemnisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti.”

“Paqja është e mundur,” vazhdoi Macron, duke shtuar se u takon francezëve ta demonstrojnë këtë së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Fillojnë bisedimet për paqe në mes Tajlandës dhe Kamboxhias

Read Next

Tesla e lirë më në fund po vjen