Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë diskutimit sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, u ndal te marrëveshjet me Gjermaninë për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike dhe programin për klimën.
Balla bëri të ditur se programi i investimeve parashikon rehabilitimin energjetik të 19 konvikteve ekzistuese dhe ndërtimin e të paktën 3 konvikteve të reja, me synim përmirësimin e kushteve të akomodimit dhe rritjen e standardeve të jetesës për studentët.
“Dua të theksoj që në fazat e para dhe të treta janë rehabilituar 5 konvikte, ndërsa programi parashikon rehabilitimin energjetik të 19 konvikteve ekzistuese dhe ndërtimin e të paktën 3 konvikteve të reja. Kjo është një marrëveshje që u iniciua në kuadër të Paktit për Universitetin dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë rigorozë angazhimeve që ka marrë qeveria”, u shpreh Balla.
Ai nënvizoi se për shkak të natyrës ndërkombëtare të marrëveshjeve, në proces përfshihet edhe Kuvendi, përmes procedurave të ratifikimit.
Duke iu referuar kushteve aktuale të konvikteve, Balla tha se disa prej tyre, veçanërisht në Qendrën Studentore nr. 1, ofrojnë tashmë standarde të mira, ndërsa objektivi është që kjo cilësi të shtrihet në të gjitha konviktet studentore.
Balla vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe institucioneve të tjera financiare, për realizimin e këtyre investimeve. /ATSH/