Evropa duhet të kalojë nga ngrirja e aseteve ruse në sekuestrimin e tyre, tha dje ministri i Jashtëm britanik David Lammy – duke forcuar pozicionin e Britanisë se Madhe lidhur me mënyrën se si Perëndimi duhet të përdorë bonot dhe letrat me vlerë të ngrira – që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, sipas “Reuters”.
Pasi presidenti rus Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me bankën qendrore të Rusisë dhe Ministrinë e Financave, duke bllokuar asete sovrane ruse me vlerë 300-350 miliardë dollarë.
Ato janë kryesisht obligacione qeveritare evropiane, amerikane dhe britanike të mbajtura në një depozitë evropiane të letrave me vlerë.
Udhëheqësit evropianë duan t’i përdorin ato asete për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje se si të shmangin sfidat ligjore ose vendosjen e një precedenti problematik ndërkombëtar, me disa opsione në shqyrtim.
“Evropa duhet të veprojë shpejt dhe unë besoj se ne duhet të kalojmë nga ngrirja e aseteve në sekuestrimin e aseteve”, tha Lammy në parlament kur u pyet nëse ai do të mbështeste legjislacionin emergjent për të sekuestruar dhe ripërdorur asetet për të mbështetur Ukrainën.
“Nuk është një çështje për të cilën çdo qeveri mund të veprojë e vetme. Ne duhet të veprojmë me aleatët evropianë”, shtoi ai.
Bashkimi Evropian vlerëson se rreth 210 miliardë euro (220,58 miliardë dollarë) e parave të ngrira mbahen në bllok, kryesisht në Euroclear, një depozitë e letrave me vlerë me qendër në Bruksel.
Disa zyrtarë perëndimorë, veçanërisht në qeverinë gjermane dhe Bankën Qendrore Evropiane, kanë hezituar të konfiskojnë rezervat sovrane, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të përballej me sfida ligjore dhe të dëmtonte euron si monedhë rezervë. /ATSH-DPA/