Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në konferencën për media foli për miratimin e rregullores për të drejtën e “Rabatit”, i cili është instrument për të tërhequr investimet e huaja filmike në vend e që përmes “Rabatit” sigurohet që tridhjetë për qind e shpenzimeve të pranuara t’i kthehen direkt investuesit të huaj, shpenzime këto që bëhen në shërbime dhe në fuqi punëtore lokale.
“Kjo nuk është vetëm për filma e seriale por edhe për videoklipe muzikore, reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave që është një përfshirje që pasqyron kohën më moderne dhe diversitetitn e industrisë kreative”, tha Çeku.
Ministri Çeku shtoi se kjo rregullore do të nisë një etapë të re të kinematografisë. “Kosova do të bëhet destinacioni kryesor për prodhimtari filmike në rajon duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse janë prezentë dhe të gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele edhe më të larta”, shtoi ministri.
Ministri po ashtu deklaroi se brenda pesë viteve të ardhshme në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.
Sipas tij është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës, UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti, në mënyrë që Kosova të jetë gati me infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. /RTKlive