Ministrat e Jashtëm evropianë u takuan në Paris, të mërkurën, duke thënë se një marrëveshje paqeje në Ukrainë do të kërkonte përfshirjen e Kievit dhe aleatëve të tij evropianë. Takimi erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se kishte rënë dakord për bisedimet e menjëhershme të paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ministrat e Jashtëm evropianë paralajmëruan se e ardhmja e Ukrainës duhet të përfshijë Evropën dhe Kievin, pasi u përhap lajmi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kishin rënë dakord të zhvillonin “menjëherë” bisedime paqeje.
Ministrat dhe delegacionet e tyre mbërritën në Paris për një takim mbi Ukrainën përpara Konferencës së Sigurisë në Mynih këtë fundjavë – duke thënë se çdo marrëveshje e ardhshme e paqes do të duhej të negociohej me Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë, raporton euronews.
Në takim morën pjesë ministrat e Jashtëm nga Polonia, Spanja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina.
Andriy Sybiha, ministër i Jashtëm i Ukrainës, tha: “Evropa luan një rol aktiv në sigurimin e një paqeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe afatgjate për Ukrainën. Siguria e Ukrainës dhe siguria evropiane janë të pandashme”.
Evropa duhet të bëjë ‘gjithnjë e më shumë’
Radosław Sikorski, ministrër i Jashtëm polak, pas mbërritjes së tij deklaroi për shtyp se Polonia do të “kërkonte në mënyrë të palëkundur mbështetje ushtarake të intensifikuar për Ukrainën”, si dhe presionin e vazhdueshëm përmes sanksioneve ndaj Rusisë.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në për të ndihmuar në mbrojtjen e Evropës, por theksoi se vendet në Evropë duhet të bëjnë “gjithnjë e më shumë” për të përmirësuar mbrojtjen e tyre.
“Nuk ka garanci më të mirë për sigurinë e kontinentit tonë, sesa bashkëpunimi i ngushtë transatlantik,” tha Sikorski.
“Por Europa duhet të bëjë gjithnjë e më shumë për mbrojtjen e saj, si për hir të aleancës, ashtu edhe për hir të vetvetes”.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, pas takimit tha se “nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa evropianët”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin dhe Trump ranë dakord në një bisedë telefonike për të organizuar një takim personalisht dhe se presidenti rus i tha Trump-it se është gati të presë amerikanët në vend.
Gjithashtu të mërkurën, sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, përjashtoi kategorikisht mundësinë e dhënies së anëtarësimit në NATO për Ukrainën si një garanci sigurie për t’i dhënë fund luftës së Rusisë./rtklive