Mijëra protestues në Tajlandë kërkojnë dorëheqjen e kryeministres

Mijëra protestues janë mbledhur në kryeqytetin tajlandez, Bangkok, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministres Paetongtarn Shinawatra, pas rrjedhjes në publik të një telefonate që ajo kishte pasur me ish-udhëheqësin kamboxhian Hun Sen.

Gjatë telefonatës, që kishte të bënte me një incident të fundit në kufirin mes dy vendeve, ajo ju drejtuar Hun Senit si “xhaxha” dhe tha se një komandant ushtarak tajlandez që po merrej me çështjen “thjeshtë donte të dukej i rëndësishëm duke thënë gjëra që nuk janë të dobishme”.

Kjo telefonatë ka shkaktuar zemërim në publik dhe një nga partnerët kryesorë në koalicionin qeverisës është larguar nga qeveria. Paetongtarn ka kërkuar falje, por ka mbrojtur telefonatën duke e quajtur një “teknikë negocimi”.

Para se të nisej për të vizituar rajonet e përmbytura në veri të vendit, Peatongtarn u tha gazetarëve se protesta është “një e drejtë e popullit, për aq kohë sa është paqësore”.

Protesta e së shtunës ishte më e madhja e këtij lloji që nga ardhja në pushtet e partisë Pheu Thai në vitin 2023. Mijëra protestues sfiduan shirat e monsunit dhe bllokuan rrugët pranë monumentit të Fitores në Bangkok, duke valëvitur flamuj tajlandezë dhe mbajtur pankarta me slogane si “Kryeministrja është armike e shtetit”.

Lideri i protestës, Parnthep Pourpongpan, tha se kryeministrja “duhet të tërhiqet sepse ajo është vetë problemi”.

Paetongtarn ka deklaruar se nuk do të zhvillojë më telefonata me ish-udhëheqësin kamboxhian, por sipas një deklarate për Reuters nga Parnthep, shumë tajlandezë mendojnë se ajo dhe babai i saj me ndikim po manipulohen nga Hun Sen.

Read Previous

OpenAI nis përdorimin e çipave të inteligjencës artificiale të Google për ChatGPT

Read Next

BQK: Rritja reale ekonomike në vitin 2024 ishte 4.4 për qind