Mijëra iranianë nderojnë presidentin Ebrahim Raisi

Mijëra njerëz u mblodhën në qytetin Tabriz dhe Teheran, për të nderuar presidentin iranian Ebrahim Raisi i cili vdiq pas rrëzimit të helikopterit së bashku me ministrin e jashtë e zyrtarë të tjerë. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei shpalli pesë ditë zie, duke inkurajuar njerëzit të ndjekin sesionet e zisë publike. Autoritetet iraniane kanë caktuar edhe disa ceremoni të tjera për Raisin. Më 23 maj, Raisi do të varroset në qytetin Mashhad. Një automjet transportoi nëpër qytet, trupin e Raisit, Ministrit të Jashtëm, zyrtarëve dhe tre anëtarëve të tjerë të ekuipazhit.

“U tronditëm që humbëm një personalitet të tillë, një personalitet që e bëri Iranin krenar dhe poshtëroi armiqtë. Veçanërisht gjatë muajit të kaluar pamë se si pushteti i tij poshtëroi Izraelin dhe Amerikën dhe se si Irani u ngrit”, u shpreh një qytetar i Teheranit.

Asambleja e Ekspertëve e Iranit ka hapur sesionin e parë pas zgjedhor, gjatë ditës, me homazhe për presidentin Ebrahim Raisi.

“Një president që jam i sigurt se bëri çmos për të shpëtuar vendin nga çdo vështirësi. Ai u përpoq t’i zgjidhte problemet ekonomike në thelb në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Ayatollah Kermani, kreu i Asamblesë së Ekspertëve.

Lideri suprem i Iranit Khamenei, emëroi zëvendës presidentin e parë, Mohammad Mokhber, si president të përkohshëm deri në zgjedhjet presidenciale më 22 Qershor. Gjithashtu, zëvendës ministri i Jashtëm u emërua në postin e Ministrit të Jashtëm të përkohshëm. Shumë vende dhe liderë ndërkombëtarë shprehën ngushëllimet e tyre dhe solidarizim me Iranin. /Alsat.mk

Read Previous

Bullgaria dërgon ushtarë në Kosovë në kuadër të KFOR-it

Read Next

Osmani: Liria e Kosovës merr kuptim vetëm atëherë kur drejtësia triumfon