Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka kujtuar masakrën e Stagovës, duke thënë se s’do të ndalen deri në vendosjen e drejtësisë.
Përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës, ka thënë se liria e Kosovës merr kuptim vetëm, atëherë kur drejtësia triumfon.
“25-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit. Në këtë ofensivë barbare, forcat kriminale shkatërruan 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati atëkohë”.
“Ende askush nuk është dënuar për këtë krim makabër, ndaj nuk do të ndalemi në angazhimin për vendosjen e drejtësisë dhe për të pasur kuptim liria jonë”, ka shkruar ajo.
Në këtë masakër, ranë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
Përveç humbjeve në njerëz, forcat serbe kryen edhe shkatërrime, djegie dhe vrasje të bagëtive.
Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre.
Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.
Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore./Albanianpost.com