Pas Iowa-s dhe New York-ut që njoftuan se 17 Shkurti 2024 do të njihet si Dita e Pavarësisë së Kosovës, edhe shteti i Michiganit ka vendosur të veprojë njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një vendimi, Guvernatorja e shtetit, Gretchen Whitmer e ka shpallur 17 shkurtin 2024, si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në këtë shtet.
Në vendim thuhet se shteti i Miçiganit ka kënaqësinë t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve anembanë shtetit për të njohur 17 shkurtin 2024 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Në arsyetim thuhet se Kosova, që nga shpallja e pavarësisë së saj vazhdon të ruajë vlerat e sovranitetit dhe vetëvendosjes, dhe se shpallja e pavarësisë së Kosovës nënvizoi përkushtimin e saj ndaj idealeve demokratike, duke afirmuar statusin e saj si një demokraci e lulëzuar në komunitetin global.
“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Michiganit është unike dhe e forcuar nga vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit; shteti i Michiganit ka kënaqësinë t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve anembanë Michiganit në festimin e 16 vjetorit të ditës së pavarësisë së Kosovës”, u tha në vendimin e publikuar online nga Guvernatorja Whitmer.