Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka postuar në Facebook takimin që ai pati me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, dhe ndau se gjatë bisedës u theksua rëndësia e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara dhe përkrahjen e Procesit të Berlinit si nisma e vetme gjithëpërfshirëse.
Sipas Presidentit Meta, realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët e dy shteteve është “jetike”.
“Si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur”.
“Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, vijoi më tej Presidenti i Shqipërisë.
“Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit”.
“Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe evropianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, mbylli thirrjen e tij Kreu shqiptar i Shtetit./Albanianpost.com