Messi shkëlqen me supergol në Kupën e Botës për Klube

Lionel Messi ka shënuar supergol në fitoren e parë të Inter Miamit në Kupën e Botës për Klube, që po mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Me golin Meesit, Inter Miami të enjten mbrëma fitoi 2:1 ndaj skuadrës së Portos në kuadër të Grupit A dhe tani bashkë me Palmeirasin i prijnë Grupit A me nga katër pikë. 

Nga një pikë e kanë Porto dhe Al Ahly.  

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Mercedez-Benz”, me kapacitet prej 71 mijë vendeve. 

Sulmuesi Samu e kaloi Porton në epërsi në minutën e tetë. 

Por në fillim të pjesës së dytë, skuadra amerikane shënoi dy herë dhe siguroi pikët e plota. 

Telasco Segovia i barazoi shifrat dy minuta pasi nisi pjesa e dytë. 

Ndërkohë, fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën realizoi supergol nga goditja e dënimit, në minutën e 54-t. Ai e kompletoi ballafaqimin, ndërsa u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes. 

Për kapitenin e Inter Miamit, Messin, ishte goli i 866-të në karrierë, në 1106 ndeshje të luajtura me Barcelonën, Paris Saint-Germainin, Inter Miamin dhe Argjentinën. 68 prej këtyre golave i ka realizuar nga goditjet e dënimit, më shumë se çdo futbollist tjetër. 

Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” gol kishte shënuar ndaj Portos edhe në vitin 2011, në finalen e Superkupës së Evropës. Ai e kishte udhëhequr Barcelonën drejt fitores 2:0 ndaj Portos. Në atë ndeshje, ai kishte regjistruar edhe një asistim. Pikërisht ndaj Portos, Messi kishte debutuar për Barcelonën në vitin 2003, në një ndeshje miqësore. Ai u takua me skuadrën portugeze sërish pas 13 sezonesh, përkatësisht të enjten në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Botërorit të klubeve.  
Inter Miami dhe Porto e nisën Botërorin e klubeve me barazime pa gola. Inter Miami barazoi me Al Ahlyn, kurse Porto luajti baras me Palmeirasin. 

Ndeshjen e fundit të fazës grupore, Inter Miami e luan të martën ndaj skuadrës braziliane, Palmeiras. Porto ballafaqohet me Al Ahlyn e Egjiptit./koha.net/

Read Previous

Gara çiklistike

Read Next

Spanja urdhëron familjen e diktatorit Franco të kthejë statujat romane