Mesdheu është shndërruar në një pikë të nxehtë zjarresh që prej mesit të Korrikut. Turqia, Greqia, Italia, Maroku, Libani, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po përballen me një situatë vatrash zjarri në pika të ndryshme të vendeve përkatëse.
Turqia është përfshirë nga flakët, ndërsa vala e të nxehtit mbetet një kërcënim i vazhdueshëm që ndez vazhdimisht zjarre të tjera dhe shkakton ndotje nga tymi në rajon. Një pajisje që mat intensitetin e zjarrit, regjistroi vlerat më të larta që prej vitit 2003 prej të cilit ajo ndodhet në funksion. Në pamjet satelitore mund të shihet qartë shtëllunga e tymit në Turqinë jugore, e cila vetëm vazhdon të rritet.
Zjarret vijojnë edhe në Greqi e Itali, ku ashtu si në Turqi, janë evakuuar mijëra njerëz nga vendbanimet e tyre për shkak të rrezikut nga kontakti me flakët. Ndërkohë, mjekët njoftojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kësaj ndotjeje mund të favorizojë sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin e mushkërive.
Europa Jugore po përjeton valën e të nxehtit afrikan, me temperatura që shkojnë deri në 46 gradë Celsius, të cilat janë shkëndija që mban ndezur zjarret në vendet e prekura. Komisioni Europian njoftoi ditën e sotme se do të ndihmojë me forca zjarrfikëse dhe pajisje ajrore Shqipërinë, Italinë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut./tvklan.al