Meloni përplaset me Zelenskyn, shkak operacioni ukrainas në Libi

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka shprehur presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky shqetësimin e qeverisë italiane për operacionin e zhvilluar nga forcat ukrainase në portin e Bengazit, në Libi.

Gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve, Meloni ka theksuar se ky operacion ka shkelur sovranitetin e Libisë dhe rrezikon të zgjerojë konfliktin ushtarak drejt Mesdheut, duke krijuar pasoja për sigurinë e Italisë dhe të rajonit.

Meloni ka ritheksuar mbështetjen e vendit të saj për Ukrainën në përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se mbështetja ndaj Kievit nuk mund të përkthehet në pranimin e veprimeve që vënë në rrezik sigurinë italiane dhe stabilitetin e rajonit.

Kryeministrja nënvizoi shqetësimin e Romës për pasojat që mund të ketë një operacion i tillë, në një zonë me rëndësi strategjike për Mesdheun.

Nga ana e tij, Zelensky ka konfirmuar se operacioni në portin e Bengazit është kryer pa koordinim paraprak me partnerët.

Presidenti ukrainas ka pranuar shqetësimet e ngritura nga pala italiane dhe është zotuar se në vijim do të garantojë shkëmbim të plotë të informacionit, si dhe komunikim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me partnerët.

Italia ka qenë një nga vendet evropiane që ka mbështetur Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus, duke ofruar ndihmë politike, ushtarake dhe financiare.

Megjithatë, zhvillimet e fundit dëshmojnë se Roma kërkon që operacionet e Kievit të mos krijojnë rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë e Mesdheut dhe interesat italiane. /tvklan.al

Read Previous

Albana Koçiu: Shqipëria shkruan kapitujt e rinj të historisë drejt Europës

Read Next

A do të largohet Ardon Jashari nga Milani? Klubi i njohur evropian synon transferimin e tij