Kosova përfaqësohet me pesë xhudistë në Grand Prix-in e Kinës
Meksika ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës 2026 si fituese e Grupit A, pasi mposhti Republikën Çeke, me rezultat 3:0 në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City.
Skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre realizoi një sukses historik, duke fituar të tria ndeshjet e fazës së grupeve për herë të parë në historinë e paraqitjeve të saj në Kampionatet Botërore.
Pas një pjese të parë pa gola, Mateo Chávez zhbllokoi rezultatin në minutën e 55-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Julián Quiñones dyfishoi epërsinë. Fitoren e vulosi Álvaro Fidalgo me golin e shënuar në kohën shtesë.
“Është diçka shumë e bukur, një moment që do ta mbaj mend gjithë jetën”, tha Chávez pas ndeshjes, duke komentuar golin e tij të parë në një Kupë Bote.
Përzgjedhësi Aguirre vlerësoi paraqitjen e ekipit, por theksoi se sfidat më të mëdha e presin Meksikën në fazën me eliminim direkt.
“Tani fillon faza ku statistikat nuk kanë më rëndësi. Kemi arritur gjëra të mira, por ajo që vjen më pas është më e rëndësishmja”, deklaroi ai.
Ndeshja solli edhe dy momente të veçanta për futbollin meksikan. Gilberto Mora, vetëm 17 vjeç, u bë lojtari më i ri që ka startuar ndonjëherë për Meksikën në një Kupë Bote, ndërsa portieri legjendar Guillermo Ochoa hyri në lojë në minutën e 77-të, duke u bërë një nga vetëm tre futbollistët në histori që kanë luajtur në gjashtë Kampionate Botërore, krahas Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
Ndërkohë, Republika Çeke e mbylli garën në vendin e fundit të grupit me vetëm një pikë nga tri ndeshje, ndërsa Meksika pret tashmë kundërshtarin e saj në fazën e 1/16-ës. /RTKlive