Mehaj për mohimin e Reçakut nga Vulin: S’befasohemi nga pinjollët e Millosheviqit

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili tha se Masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”.

Mehaj, duke thënë se bota demokratike e di të vërtetën, kërkoi edhe reagimin e ndërkombëtarëve ndaj deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë, të cilët i quajti “pinjollë të Millosheviqit”.

“Të mësuar me mposhtjen e së vërtetës për projektin barbar serb mbi 150 vjeçar për shfarosjen e shqiptarëve, me gënjeshtra e poshtërsi, mundohen ta bëjnë edhe tani pinjollët e kryekriminelit Millosheviç, si Vulin. Neve nuk na befason asgjë nga skenarët e tillë antishqiptarë dhe antinjerëzorë të kreatorëve të krimeve më çnjerëzore”.

Mehaj ka shkruar se e vërteta e Reçakut është parë dhe ndjerë njëjtë sikurse edhe ajo e Vukovarit dhe Srebrenicës.

“E vërteta e madhe, gur e shpirt i skalitur është edhe Almiri 14 vjeçar që iu këputë jeta bashkë me 45 familjarë e bashkëfshatarë të Reçakut, për të vetmin “faj” se ishin shqiptarë, nga gjakatarët barbarë serbë, që udhëhiqeshin atë kohë nga qeveria kriminale serbe ku bënte pjesë edhe Vuçiq”.

“Bota e vlerave demokratike dhe humane duhet të reagojë fuqishëm ndaj kësaj bastardie të qeverisë serbe të radhës, sepse ne nuk harrojmë kurrë!”.

Read Previous

Bëhet rivlerësimi, Robin Krasniqi shpallet fitues në meçin ndaj Boesel

Read Next

Kuvendi i Berishës shkarkon Bashën nga posti i kryetarit të PD-së