Mehaj kujton vëllezërit Bytyqi: Moskërkim falja nga shteti serb tregon për një mendësi të pandryshuar të shtetit gjenocidal

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kujtuar vëllezërit Bytyqi në përvjetorin e tyre.

“Sot kujtojmë vëllezërit Agron, Yll e Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë të cilët iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për idealet, lirinë e popullit dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

Ministri Mehaj është shprehur se vëllëzerit Bytyqi kanë luftuar “trimërisht”, “por u vranë mizorisht nga shteti serb pikërisht pas lufte”.

“Ekzekutimi i tyre ashtu si edhe i shumë shqiptarëve të tjerë, dhe mos kërkim falja nga shteti serb, autor i mijëra krimeve në Kosovë, tregon për një mendësi të pandryshuar të shtetit gjenocidal, që fajëson viktimat e le të lirë kriminelët. Drejtësia duhet vendosur, sepse të vrarët nuk harrohen!”, ka shkruar ai.

Ndryshe, më 15 korrik të vitit të kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës i kërkon drejtpërdrejt Serbisë drejtësi për rastin e vrasjeve të tre vëllezërve Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet.

Në dokument theksohet se edhe pse autoritetet serbe e hetuan rastin, ato asnjëherë nuk i akuzuan individët që ishin pjesë e zinxhirit komandues.

Për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Prokuroria e Serbisë në vitin 2006 e kishte ngritur një aktakuzë kundër dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq.

Megjithatë, ata ishin liruar më pas nga Gjykata e Apelit.

Read Previous

181 vjet nga zbulimi i sistemit të ftohjes së ajrit

Read Next

Escobar: Largimi i KFOR-it nga Kosova nuk është në tavolinë