Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Antimafia italiane kanë zhvilluar një aksion të madh policor në Shqipëri dhe Itali, sa i takon goditjes së një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta, ku detajet e para po mësohen rreth hetimit të mbi 50 personave dhe kapjen e tyre.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka qenë në një konferencë për shtyp së bashku me kolegë italianë, ndër të cilët edhe kryeprokurori italian i Barit, Roberto Rossi, i cili ka drejtuar operacionin në krahun italian.
Sipas Dumanit, në një fjalë të shkurtër të mbajtur, është goditur një prej grupeve më të rëndësishme kriminale në Shqipëri, i cili është përfshirë në trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e parave.
“Ky është një shembull i asaj që mund të arrihet në rast se institucionet bashkëpunojnë. Shpreh mirënjohjen për prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, Policinë e Shtetit dhe partnerët italianë, të cilët sot ndodhen mes nesh dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, përmendi Dumani.
“Falënderim për Eurojust dhe Europol për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve të kryera”.
Rossi vetë nga ana tjetër shprehu një vlerësim maksimal për SPAK-un dhe bashkëpunimin që ka pasur mes institucioneve, duke veçuar faktin se bashkërendimi i punës është “perfekt”.
“Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet hetuese dhe në veçanti SPAK janë shumë të afta të ndjekin dhe të kapin krimet”, tha Rossi në një fjalë të shkurtër për media.
Ai theksoi se Mafia shqiptare – “për fat të keq” – është fuqizuar shumë. Por po ashtu se ka besimin se populli shqiptar dhe organet ligjzbatuese do të arrijnë rezultate të mëdha në luftën kundër saj.
Pjesë e këtij operacioni ka qenë edhe Eurojust, për të cilët edhe Dumani, edhe Rossi, kanë shprehur vlerësime të larta.
“Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet hetuese, dhe në veçanti SPAK, janë shumë të afta të ndjekin dhe të kapin krimet. Është një forcë e përbashkët dhe shumë e rëndësishme për ne”, përshkroi më tej Rossi.
Teksa shtoi se ka prani të jashtëzakonshme të Policisë Gjyqësore italiane dhe asaj shqiptare, që së bashku arrijnë objektivat e përbashkëta.
“Por doja të theksoja këtë afërsi të fortë mes nesh dhe aktivitetin e ndjekjes së veprave penale në Shqipëri”, përmblodhi.
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, ka qenë ai, i cili ka ndarë disa detaje ndërkaq nga operacioni.
Mara shpjegoi se janë kryer hetime paralele në Shqipëri dhe Itali dhe janë shkëmbyer të dhëna në mënyrë të përditshme dhe të menjëhershme.
Në vijim, nga ana e autoriteteve italiane (Drejtoria Antimafia dhe Prokuroria e Barit), janë rindërtuar të dhëna nga platforma Sky ECC.
“Në bazë të analizimit të këtyre të dhënave, kemi arritur të ndërtojmë të gjithë shtrirjen e aktivitetit kriminal i cili shtrihej nga Puglia në të gjithë territorin italian, si dhe në Belgjikë, Holandë dhe në Amerikën e Jugut”, përmendi Mara.
Ai përmendi se ka pasur pesë skuadra të përbashkëta hetimore, krahas të dhënave të tjera si përgjimet, janë përdorur dhe të dhënat e përftuara nga enkriptimi i Sky ECC.
“Falë analizës së kryer nga hetuesit e DIA-s dhe prokurorëve të Bari-t është arritur të konkludohet se të gjitha të dhënat materiale me prejardhje kriminale kanë pasur vlerë 5 milionë euro”, shpjegoi.
Të përfshirë në skemë kanë qenë edhe zyrtarë shtetërorë dhe një avokat, siç ka bërë me dije Mara, për të cilët janë ekzekutuar masat e sigurisë.
“Janë ekzekutuar vendimet për sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga krimi. Tre restorante në Durrës, një bar kafe, gjashtë shoqëri tregtare dhe një televizion në Vlorë. Janë sekuestruar 3 milionë euro, si te ardhura e këtij grupi kriminal”, shpjegoi më tej.
Nga sa kuptohet ndërkaq, 42 prej urdhër-arresteve janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit, siç përmendi vetë kreu i SPAK.
Ndërsa në ndihmë për operacionin mësohet se ka ardhur edhe DEA amerikane. /Albanianpost.com