Në kërkimet për mbetje bërthamore të hedhura dekada më parë, studiuesit kanë zbuluar dhe lokalizuar tashmë më shumë se 1. 000 fuçi në Atlantikun Verilindor, sipas një zëdhënëseje të organizatës franceze kërkimore CNRS.
Ekipi ndërkombëtar i kërkimit u nis nga Bresti, Franca perëndimore, në mesin e qershorit me anijen “L’Atalante” drejt zonës kërkimore në pellgun e Evropës Perëndimore të Atlantikut. Për katër javë ata janë në kërkim të fuçive me mbetje bërthamore për të vlerësuar ndikimin e tyre në ekosistemin lokal.
Mes viteve 1950 dhe 1980, disa shtete i hodhën mbetjet bërthamore thjesht në oqean. Në atë kohë, thellësitë e oqeaneve dukeshi si një zgjidhje e leverdisshme dhe e thjeshtë për asgjësimin e mbetjeve bërthamore të gjeneruara nga zhvillimi industrial dhe laboratorët – të paktën aty ku oqeani konsiderohej gjeologjikisht i qëndrueshëm.
Vetëm në vitin 1993 u ndalua përfundimisht hedhja e mbetjeve bërthamore në oqean. Besohet se të paktën 200.000 fuçi të tilla gjenden vetëm në Atlantikun Verilindor – në një thellësi prej 3.000 deri në 5.000 metra. Megjithatë, vendndodhja e saktë e mbetjeve bërthamore është e panjohur. Po ashtu pak dihet për gjendjen e fuçive dhe nëse ato ndodhen më vete apo të grupuara.
Studiuesit po hulumtojnë ndikimin në mjedis
Studiuesit aktualisht po eksplorojnë zonën ku ndoshta ka rënë gjysma e mbeturinave. Ekipi synon të krijojë një hartë të fuçive të mbeturinave bërthamore të gjetura dhe të marrë mostra të shumta nga uji, shtrati i detit dhe kafshët. Në këtë ekspeditë ata mbështeten nga roboti autonom zhytës Ulyx, i cili është i pajisur, ndër të tjera, me një kamerë për imazhe 3D dhe një sistem sonor për gjetjen e objekteve.
Patrick Chardon, kreu i projektit NODSSUM-Nuclear Ocean Dump Site Survey Monitoring, Monitorimi i Vendndodhjes së Mbeturinave Bërthamore në Oqeani, mendon se radioaktiviteti në shumicën dërrmuese të mbetjeve bërthamore në Atlantikun e Veriut do të jetë zhdukur praktikisht pas rreth 300 deri në 400 vjetësh. Fuçitë u projektuan për t’i bërë ballë presionit të oqeanit të thellë, por jo për ta mbajtur vërtet brenda radioaktivitetin. Chardon ka dyshime, se radioaktiviteti mund të ketë dalë nga kontejnerët prej kohësh.