Më pak se 5 mijë hapa në ditë, të mjaftueshme për të qëndruar të shëndetshëm

Prej kohësh është thënë se 10 mijë hapa në ditë është numri magjik që nevojitet për të qëndruar në formë dhe të shëndetshëm.

Por një studim i ri tregon se më pak se 5 mijë mund të jenë të mjaftueshëm për të parë një përfitim.

Analiza e më shumë se 226 mijë njerëzve në mbarë botën tregoi se 4 mijë hapa ishin të mjaftueshme për të filluar zvogëlimin e rrezikut të vdekjes së parakohshme për çdo shkak.

Pak më shumë se 2 mijë e 300 janë të mjaftueshme për të pasur të shëndetshme zemrën dhe enët e gjakut.

Sipas studiuesve, sa më shumë hapa të bëni, aq më shumë përfitime shëndetësore shihen.

Çdo 1 mijë hapa shtesë përtej 4 mijë ul rrezikun e vdekjes së hershme me 15 për qind deri në 20 mijë hapa.

Ekipi nga Universiteti Mjekësor i Lodz-it në Poloni dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Johns Hopkins në SHBA zbuloi se përfitimet e ecjes zbatoheshin për të gjitha gjinitë dhe moshat, pavarësisht se ku jetonin.

Megjithatë, përfitimet më të mëdha u panë tek moshat nën 60 vjeç.

Maciej Banach, nga universiteti Lodz, ka thënë se ndërsa numri i barnave të avancuara për trajtim po rritej, ato nuk ishin e vetmja përgjigje.

“Unë besoj se duhet të theksojmë gjithmonë se ndryshimet në stilin e jetës, duke përfshirë dietën dhe stërvitjen, që ishte heroi kryesor i analizës sonë, mund të jenë të paktën po aq, ose edhe më shumë, efektivë në reduktimin e rrezikut kardiovaskular dhe zgjatjen e jetës”.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është përgjegjës për 3.2 milionë vdekje çdo vit – shkaku i katërt më i shpeshtë në mbarë botën.

Përfitime të tjera përfshijnë përmirësimin e shëndetit mendor dhe kohë të rëndësishme larg ekraneve dhe shpërqendrimeve të tjera. /Albanianpost.com

Read Previous

Suedia planifikon të dyfishojë përdorimin e saj të energjisë bërthamore

Read Next

Goditje e rëndë për Real Madrid në prag të nisjes së sezonit, Courtois këput ligamentin