Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini bashkë me ekipin e tij sot nderuan, mbi 60 shqiptarë të lagjes së I-rë në Gjakovë që janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999. Ai tha se kjo është ndër masakrat më të dhimbshme e mizore të kryera në Kosovë.
Nesrete Vejsa Nuka thotë se 23 vite pas, familjarët ndihen të zhgënjyer me drejtësinë e vonuar, për veprimet ç’njerëzore që ka kryer okupatori serb.
Ofensiva e tmerrshme serbe e 1 dhe 2 prillit 1999, në Gjakovë i kishte përfshirë pothuajse të gjitha lagjet në Gjakovë. Të gjitha anët e qytetit ishin shkaktuar skena të lloj-llojshme krimesh të trishtueshme për të cilat edhe sot pas 23 viteve nuk ka dhënë përgjegjësi askush.