Më 14 nëntor nis gjykimi ndaj Shalës, Bahtijarit dhe Januzit në Dhomat e Specializuara

Më 14 nëntor do të nisë gjykimi në Dhomat e Specializuara ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Sipas njoftimit të që ka bërë Gjykata Speciale, të pandehurit akuzohen se nga 5 prilli 2023 deri më 12 prill 2023 janë takur secili veç e veç me një dëshmitar për ta nxitur të njëjtin që të tërhiqet nga dëshmia para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Më 14 nëntor, Kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarit, do t’i informojë ata mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do t’i pyesë nëse e kanë kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshirojnë të konfirmojnë vetëdeklarimin e tyre të mëhershëm si të pafajshëm. Më pas, ZPS-ja do të paraqesë deklaratën hyrëse që do të pasohet nga deklaratat hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe Mbrojtjes së Shalës. Sikurse kanë kërkuar palët përkatëse, Trupi Gjykues ka planifikuar dy orë për deklaratën hyrëse të ZPS-së, një orë për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe 30 minuta për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Shalës”, thuhet në njoftim.

Aty u theksua se mbrojtja e Bahtijarit do të mbajë deklaratë hyrëse.

Po ashtu, bëhet e ditur se më 9 dhjetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nisë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Jean-Denys Choulet, trajneri i ri i Kosovës në basketboll

Read Next

Raporti i EULEX-it: Ka rënie në produktivitetin e seancave gjyqësore