Mbyllet për publikun seanca e sotme ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së martës në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është mbyllur sërish për publikun.

Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi, u bë e ditur se edhe seanca e sotme mbyllet për publikun me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti, ku pritet të dëshmojë dëshmitari D.K., dhe një tjetër dëshmitare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Arsyetimi për mbylljen e seancës ishte se gjatë këtyre dëshmive, mund të jepen të dhëna që i përkasin jetës personale dhe familjare.

Edhe seanca e 5 tetorit 2023 dhe ajo e 30 nëntorit 2023, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Fillimisht, thuhet se i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Aktakuza thotë se i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij, e më pas i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave, e më pas kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë. Të nesërmen, thuhet se së bashku e marrin kufomën dhe i pandehuri Nexhat e varros për t’i zhdukur gjurmët.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”. /BetimipërDrejtësi/

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Ylli ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Flevarakis

Read Next

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës dhe KFOR-i shpëtojnë turistët zviceranë në Kukës