Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë në kërkesën e fundit për vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, duke thënë se rreziku që Thaçi të arratiset është “i pabazuar” dhe “spekulativ”.
Sipas avokatit Luka Mishiq, Thaçi nuk ka paraqitur asnjëherë rrezik për arratisje.
“Siç është shprehur në disa raste përmes avokatit të tij special gjatë konferencave mbi statusin e procedurës, z. Thaçi e konsideron çështjen e ZPS-së aq të dobët, saqë ka menduar të mos paraqesë fare një çështje të Mbrojtjes”, thuhet në parashtrim.
Mishiq ka deklaruar se as argumenti tjetër i Prokurorisë – për rrezikun që Thaçi të ndërhyjë në dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave – nuk qëndron.
“Çdo rrezik për pengim në lidhje me dëshmitarët e viktimave është, në thelb, shumë më i ulët”, ka thënë ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ish-kryeparlamentarët kosovarë Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Rexhep Selimi akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.
Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa të njëjtit ishin arrestuar nga Specialja në nëntorit e vitit 2020.
Më 1 prill të 2025-së, u mbyll faza e prezantimit të dëshmitarëve të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). /Albanianpost.com
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.